Secondary Adv

Në janar-qershor jepen 5-fish leje për ndërtime rekord në Tiranë, me vlerë 1.6 mld euro

Vala e ndërtimeve në Tiranë dhe zonat bregdetare pritet të intensifikohet më tej.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja u rritën në nivele rekord në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, ndërsa vetëm në Tiranë arkëtimet ishin pothuajse pesë herë më të larta se një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në periudhën janar–qershor 2026 u arkëtuan në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja. Shuma është rreth tre herë më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 200 për qind.

Edhe krahasuar me vitin 2024, që deri tani mbante rekordin e dekadës së fundit për të ardhurat nga kjo taksë dhe sipërfaqen e lejeve të dhëna, arkëtimet e gjashtëmujorit të parë 2026 janë rritur me më shumë se 120 për qind. Të ardhurat e mbledhura në vetëm gjashtë muaj janë pothuajse të barabarta me 18.6 miliardë lekët e arkëtuara gjatë gjithë vitit 2024 dhe 15 për qind më të larta se arkëtimet e të gjithë vitit 2025.

Për krahasim, gjatë gjithë vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, u dhanë leje për rreth 2 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Tirana përqendron 68 për qind të të ardhurave

Tirana vijon të jetë qendra kryesore e valës së ndërtimeve. Rreth 68 për qind e të ardhurave të mbledhura në të gjithë vendin gjatë gjashtëmujorit të parë 2026 kanë ardhur nga Bashkia Tiranë. Arkëtimet arritën në 12.5 miliardë lekë, pothuajse sa shuma e mbledhur gjatë gjithë vitit 2025.

Krahasuar me periudhën janar–qershor 2025, kur u arkëtuan 2.7 miliardë lekë, të ardhurat janë rritur me 362 për qind, duke qenë pothuajse pesë herë më të larta.

Duke marrë në konsideratë se taksa e ndikimit në infrastrukturë në Tiranë llogaritet në masën 8 për qind të çmimit të shitjes për metër katror, bazuar në çmimet referuese, të ardhurat e arkëtuara i korrespondojnë një vlere ndërtimesh prej rreth 156 miliardë lekësh, ose afërsisht 1.6 miliardë euro.

Ndryshimi i fundit i çmimeve referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë është bërë në korrik 2023, përmes VKM-së nr. 457, datë 26.07.2023. Çmimet hynë në fuqi në fund të korrikut të atij viti dhe zbatohen për 32 zonat kadastrale të Tiranës. Për rrjedhojë, rritja e fortë e arkëtimeve në vitin 2026 lidhet me shtimin e bazës së taksueshme nga ndërtimet e reja dhe jo me një ndryshim të fundit të çmimeve referuese.

Për krahasim, në vitin 2025, sipas të dhënave të formimit bruto të kapitalit fiks, investimet në banesa në të gjithë vendin arritën në 222 miliardë lekë, ndërsa investimet në ndërtesa dhe struktura të tjera ishin 260 miliardë lekë. Vlera e përllogaritur nga arkëtimet e taksës në Tiranë për gjashtëmujorin e parë 2026 është sa rreth 70 për qind e investimeve në banesa në të gjithë vendin gjatë vitit 2025.

Himara dhe Saranda përballë një vale të re ndërtimesh

Rritja nuk është përqendruar vetëm në kryeqytet. Edhe zonat bregdetare, veçanërisht në jug të vendit, kanë regjistruar rritje të fortë të të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Himara ka arkëtuar rreth 1.2 miliardë lekë gjatë gjashtëmujorit të parë, 301 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Durrësi renditet i treti për nga vlera, me 841 milionë lekë dhe një rritje prej 58 për qind.

Në Sarandë janë arkëtuar 478 milionë lekë, ose pothuajse shtatë herë më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar. Edhe në Golem, një nga zonat me intensitet të lartë ndërtimi gjatë viteve të fundit, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë rritur me 37 për qind.

Mungojnë statistikat e plota për lejet e ndërtimit

Prej fillimit të vitit 2025, statistikat e lejeve të ndërtimit të publikuara nga INSTAT mbështeten në të dhënat e siguruara nga bashkitë. Megjithatë, VKM nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, e ndryshuar, përcakton se në procesin e miratimit të lejeve përfshihen edhe institucione të tjera përgjegjëse.

Në mungesë të një raportimi të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto institucione pranë INSTAT, statistikat e publikuara aktualisht bazohen vetëm në burimet bashkiake dhe nuk përfshijnë të gjithë aktivitetin e lidhur me lejet e miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Në këto kushte, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë shërbejnë si një tregues alternativ për përmasat e aktivitetit të pritshëm në sektorin e ndërtimit. Muajt e fundit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka marrë në shqyrtim qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi, ku përfshihen projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturore, energjetike dhe transporti.

Mungesa e statistikave të plota vështirëson analizimin e një prej sektorëve më dinamikë të ekonomisë, veçanërisht në një periudhë kur çmimet dhe oferta e pronave kanë vijuar të rriten. Në të njëjtën kohë është rritur edhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj pasurive të paluajtshme, me stokun e kredisë për këtë sektor që përbën rreth 52 për qind të totalit.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat